Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e atdhetarit dhe gazetarit Enver Maloku.
Në këtë përvjetor liderët institucional e kanë kujtuar dhe vlerësuar lartë kontributin e tij.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar zbardhjen e autorëve të vrasjes së tij.
“Në 24 – vjetorin e vrasjes së atdhetarit e gazetarit Enver Maloku, e kujtojmë me respekt bashkëpunëtorin e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova dhe drejtuesin e Qendrës për Informim të Kosovës, zërin e të vërtetës sonë nga kohët e errëta. Siç bëri ai për të vërtetën, duhet të bëjmë ne, duke zbardhur autorët e vrasjes së tij dhe duke i përballë me drejtësinë! Qoftë i paharruar kujtimi për Enver Malokun”, ka deklaruar Osmani.
Enver Malokun në 24 vjetorin e vrasjes e ka kujtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdoxhiku.
“Nderuam Enver Malokun, në 24 vjetorin e vrasjes së tij. Ai ishte një gazetar vetëmohues, një ëndërrimtar i lirisë, një intelektual i pashoq, një adhurues i shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë – ishte një patriot model i orëve më të rënda të Kosovës. Mbi të gjitha, ishte bartës i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci.
Në Bregun e Diellit, pranë banesës së tij, ai u qëllua në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë. Rrugëtimi i tij drejt lirisë u ndërpre në gjysmë, por ëndrra e nisur nga ai vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne”, shkruan Abdixhiku.
Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se aktivistin dhe gazetarin Enver Maloku, do e kujtojmë gjithmonë si një nga intelektualët e parë që iu bashkua lëvizjes për liri.
“Si një atdhedashës që ishte, dha gjithçka për lirinë e fjalës, për popullin e Kosovës. Roli i tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, ishte i jashtëzakonshëm. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Enver Malokun!”, ka shkruar Haradinaj.
Enver Maloku ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, i cili u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.
Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës. /Telegrafi/