Site icon Telegrafi

23 vjet nga rënia e Shpëtim Bojkut dhe plagosja e Shpetim Agushollit

Sot bëhen 23 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit Shpetim Bojku si dhe plagosja e luftëtarit të dalluar Shpëtim Agusholli që të dy nga Peja.

Bojku i rënë në betejën e Kosharës heroike, në luftë për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar ndërsa Agusholli i plagosur deri në invaliditet në përballje të ashpër me forcat serbe.

Me këtë rast, në përkujtim të kësaj date po zhvillohen homazhe dhe nderime tek varri dhe vendi i rënies së dëshmorit të kombit Shpetim Bojku, në Koshare.

Shpëtim Bojku njihet si luftëtarë i dalluar i UÇK-së, pjesëmarrës aktiv i betejës së Koshares, e që më 28 prill të vitit 1999, ra heroikisht, ballë për ballë me forcat serbe në fushë-betejë.

Shpetim Agusholli, nga beteja e rreptë e Koshares, e cila në histori njihet si tmerri i Serbisë, në po këtë datë do mbetej i plagosur rëndë deri në invaliditet, shkruan Njëshi.com.

Sot në këtë përvjetor të 23-të, veprën e të dy Shpëtimave, pos familjarëve e kujtojnë edhe bashkëluftëtarë dhe komandant të lartë të UÇK-së.

Në një intervistë të kohës, Shpetim Bojkun, do ta kujtonte kështu, komandanti i Koshares, Rrustem Berisha:

“Gati çdo ditë të Betejës së Koshares kemi pasur luftëtarë të rënë, sepse trimat tanë kurrë nuk janë tërhequr asnjë hap, edhe në luftimet më të rrepta. Më 28 prill 1999, ranë në altarin e lirisë, tre Heronjtë e Kosovës, Jusuf (Ibush) Hoxha nga Komorani i Drenasit, Milazim (Sadri) Mavraj nga Staradrani i Istogut dhe Shpëtim (Idriz) Bojku nga Peja.

Sot, në 23 vjetorin e rënies së tyre për liri, i përkujtojmë me lot në sy e krenari në zemër që i njohëm dhe luftuam kundër pushtuesit bashkë me Jusufin, Milazimin dhe Shpëtimin.

I përjetshëm qoftë kujtimi për këta trima!”-thoshte Rrustem Berisha.

Ndryshe, nga viti 2015 Shpëtim Bojku bashkë me dëshmorët Ahmet Gjikolli, Muharrem Kelmendi dhe Jusuf Kelmendi, i bëjnë roje atdheut, të skalitur në bronzë në sheshin e Pejës./Njeshi/

 

Exit mobile version