Ndonëse jo në përmasat si Greqia fqinje, edhe Shqipëria ka “vuajtur” nga zjarret, me dhjetëra hektarë tokë të djegur nga veriu në burg. Në një pjesë të konsiderueshme të tyre ka qenë zjarrvënie e qëllimshme për rrjedhojë 23 persona janë vënë në pranga.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ka bërë një thirrje gjykatësve që të dënojnë sipas ligjit autorët, pasi sipas tij, deri më tani pirromanët janë lënë të lirë.
“Gjykata e vlerësoi të ligjshëm dhe të mbështetur në prova arrestimin e zjarrvënësit të Laçit dhe kjo është një arsye për ta vlerësuar Prokurorinë për dokumentimin e dosjes penale dhe vendimin e përgjegjshëm të Gjykatës!”, tha Balla.
“Në pritje që 23 zjarrvënësit e arrestuar nga Policia e Shtetit këtë sezon veror të marrin dënimin e merituar për veprën e tyre kriminale, bëj apelin e përsëritur edhe nga Kryeministri Rama, që gjykatësit e këtyre çështjeve ta mbyllin përfundimisht me vendimet e tyre kapitullin e gjatë dhe të turpshëm për drejtësinë të mosndëshkimit të duhur të kësaj vepre penale për vite me radhë”, shkruan Balla.
Zjarrvënia është një vepër penale që dënohet deri në 15 vite heqje lirie. /Telegrafi/