Site icon Telegrafi

22 vjetori i çlirimit, Abdixhiku: U jemi mirënjohës miqve ndërkombëtarë që edhe sot vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Lumir Abdixhiku, ka falënderuar të gjithë ata që dhanë kontribut deri në pavarësinë e Kosovës, në 22 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s.

Abdixhiku thekon se asnjëherë nuk mund të harrohet puna e madhe që NATO me të gjitha kontingjentet e saj ka bërë në Kosovë edhe në kohën e intervenimit 78 ditë dhe net që i dhanë fund gjenocidit e masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe mundësuan kthimin e qindra mijëra refugjatëve në shtëpitë e tyre.

“Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. Njëzet e dy vjet më parë, NATO-ja me fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, shënoi fillimin e fundit të luftës së kamotshme në Kosovë…Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë u vu në mbrojtje të vlerave të paqes dhe demokracisë. Sot, ne shprehim mirënjohjen e thellë për Aleancën Veri-Atlantike dhe bashkësinë ndërkombëtare që u vunë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë për Liri, Pavarësi e Demokraci”, thekson kryetari i LDK-së.

Adixhiku tha se u janë thellësisht mirënjohës të gjithë miqve ndërkombëtarë që edhe sot vazhdojnë ta ndihmojnë forcimin e demokracisë së vendit tonë.

“Sot, ne kujtojmë Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, Familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe secilin qytetar të Kosovës, që dhanë jetën e tyre që gjeneratat tona ta gëzojnë lirinë”, shprehet kryetari i LDK-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version