Protesta që pritet të organizohet gjatë të shtunës nga opozita shqiptare , në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të shoqërohet me masa të larta sigurie të policisë.
Sipas policisë, Partia Demokratike ka marrë leje për zhvillimin e protestës prej orës 12:00-16:00 të së shtunës.
Në një njoftim zyrtar, policia paralajmëron se do të ndëshkojë cilindo që do të tentojë të cënojë rendin dhe sigurinë publike.
Më tepër se 1500 policë të komisariateve të Tiranës, njësitë Shqiponja, por edhe FNSH, pritet të instalohen pranë institucioneve të rëndësishme.
Ndërsa 500 efektivë të tjerë do të jenë në gatishmëri.
Pjesa më e madhe do të vendoset pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit, ku pritet që të përqëndrohen edhe protestuesit, shkruan Tv Klan.
Një javë më parë Drejtori i Policisë së Tiranës urdhëroi drejtuesit e komisariateve të evidentojnë personat e dhunshëm.
Informacion është kërkuar edhe nga rrethet për personat me tendenca kriminale. Kjo me qëllim që ata të mbahen nën vëzhgim gjatë protestës.
Nuk përjashtohet mundësia që efektivët e policisë të kryejnë kontrolle fizike të protestuesve në pikat e mbërritjes së tyre nga rrethet.
Ndërsa efektivë civilë pritet të shkrihen me turmën.