Telegrafi

200 milion euro për hekurudhën që lidh veriun me jugun e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Musfata, duke folur për investimet e jashtme në infrastrukturën e Kosovës, ka thënë që Qeveria që ai udhëheq do të investojë 200 milionë euro në hekurudhën që lidh jugun dhe veriun e Kosovës.

Sipas tij, për hekurudhën nga Hani i Elezit në Leshak do të kërkohen firma serioze gjermane ose evropiane që ta kryejnë këtë investim.

“Ne do ta bëjmë rikonstruktimin e hekurudhës nga Hani i Elezit deri në Leshak. 200 milionë euro do të investohen në rikonstruktimin e kësaj linje hekurudhe. Për këto investime, ne po kërkojmë firma serioze gjermane ose firma serioze evropiane ta kryejnë këtë investim”, ka thënë Mustafa në RTK.

Sipas tij, tregu i Kosovës ka pasur një bllokadë nga investitorët e jashtëm seriozë.

Sa i përket hapjes së vendeve të punës, Mustafa ka thënë që pret që kjo gjë të ndodhë më tepër nga zhvillimi i bujqësisë.

“Investimi në Kosovën e re, në Kosovën A, dhe investimi në Brezovicë, janë investime të rëndësishme për Kosovën. Kanë mbetur edhe tre muaj për sigurimin e 200 milionë investimit të konzorciumit francez në Brezovicë”, ka thënë ai.