Sipas një raportimi të The Athletic, një shumë prej 2.5 miliardë funte, e mbledhur nga shitja e klubit të futbollit Chelsea, mbetet e ngrirë në një llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo ndodh gati tre vjet pasi fondet u destinuan fillimisht për të mbështetur kauzat humanitare pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ish-pronari i Chelsea-s, Roman Abramovich, u detyrua të shesë klubin në vitin 2022 pasi u vendosën sanksione kundër tij nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Abramovich u etiketua si një “oligark pro-Kremlin”, dhe pasuritë e tij iu nënshtruan një kontrolli të rreptë.
Në atë kohë, Abramovich deklaroi se të gjitha të ardhurat neto nga shitja e Chelseat do të përdoreshin për të ndihmuar viktimat e luftës në Ukrainë, duke përfshirë mbështetjen për refugjatët dhe rivendosjen e shërbimeve thelbësore.
Megjithatë, përkundër faktit që shitja e Chelseat te konsorciumi i udhëhequr nga Clearlake Capital dhe Todd Boehly u finalizua në maj 2022, fondet mbeten të papërdorura.
Një nga arsyet kryesore për këtë vonesë është kompleksiteti ligjor dhe burokratik që shoqëron shpërndarjen e një shume kaq të madhe parash, veçanërisht në një kontekst ndërkombëtar të ndjeshëm siç është konflikti në Ukrainë. /Telegrafi/