Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e Arsimit, Nazim Gagica, kanë parë nga afër procesin e testit të maturës, të cilit i janë nënshtruar 1820 maturantë dhe po zhvillohet në 11 qendra.
Haziri e Gagica kanë konfirmuar se ky proces po ecën sipas planifikimit pa asnjë problem.
“Për maturantët është manifestim jetësor sepse ata sot kalojnë nëpër testin e rëndësishëm profesional, i cili hap rrugë për jetën e tyre, për studime ose për mundësi punësimi. Uroj që të jetë një ditë e suksesshme për secilin maturant”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai theksoi se gjatë verës do të bëhet rishikimi i nevojave për shkollat profesionale, sikurse edhe rishikimi dhe riorganizimi i shkollave sipas kurrikulës.
“E falënderoj personelin arsimor dhe Drejtorinë e Arsimit për përmbylljen me sukses të vitit shkollor, por edhe të një viti të rëndë në sektorin e arsimit, sepse paralelisht po shkojmë në reformat e brendshme administrative, standardizimin e normave, zvogëlimin e administratës në maksimalizim për të gjithë personelin dhe nevojat e arsimit. Do të jetë një vit i rëndësishëm, por mbi të gjitha, vendimet i hapin rrugë të rinjve dhe fëmijëve tanë. Numri i nxënësve po bie sepse nuk është më i njëjtë numri i maturantëve dhe ai i klasave të para. Në mes tyre është një shifër paksa shqetësuese”, pohoi Haziri.
Drejtori i shkollës së mjekësisë “Asllan Elezi”, Shaban Tërstena dhe drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku, konfirmuan se procesi i testimit po ecën mbarë.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin tha se testi i maturës në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit sot ka filluar me kohë por që kanë pasur disa probleme sa i përket marrjes së telefonave të nxënësve.
“Sot ka filluar me kohë testi i maturës, nuk raportohet për ndonjë vonesë. Disa shkolla kanë refuzuar që të hyjnë pa telefon, por pas instruksioneve tona që të mos fillojë fare testi, i kanë larguar pastaj telefonat. Mund të konfirmoj se ka më pak telefona, kanë vazhduar postimet por që janë shumë më të vogla se dje”, është shprehur ai.
Hysenaj kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetimet ndaj administratorëve të këtyre grupeve të krijuara në rrjetet sociale, duke shtuar se tashmë Prokuroria posedon mjaftueshëm informata.
Kryetari i Komisionit deklaroi se pasi të përfundojë testi i maturës, do t’i marrin të gjitha shënimet dhe të gjithë nxënësit që do të identifikohen dhe administruesit të cilët kanë qenë në ato klasë do t’i marrin dënimet e merituara.
Kurse edhe pse ishte paralajmëruar nga MASHT-i, se në qendrat e testimit do të vendosen zhurmues të valëve, në mënyrë që të parandalohet që testi të shpërndahet në rrjetet sociale, një gjë e tillë nuk ka mundur të realizohet./Telegrafi/