Më 18 shkurt në Gjykatën Penale në Shkup do të fillojë gjykimi për rastin e Prokurorisë Speciale “Talir”, i cili ka të bëjë me financimin e OBRM-PDUKM.
Në këtë rast të akuzuar janë ish-kryetari i OBRM-PDUKM-së Nikolla Gruevski, ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë Kirill Bozhinovski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, deputeti Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska, e cila vitin e kaluar pranoi fajin dhe u dënua me kusht, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas aktakuzës, ata në mënyrë joligjore kesh kanë pranuar 4.6 milionë euro për partinë, ndërsa më pas janë organizuar që paratë e njëjta të shkojnë në xhirollogari të partisë përmes personave të ndryshëm. Ata akuzohen për veprën penale “financim të paligjshëm të subjektit juridik – partisë politike”.
Për lëndën “Talir” ka edhe një akuzë, për të cilën gjykata nuk ka sjellur vendim dhe ka të bëjë me ndërtimin e selisë së partisë./Telegrafi/