Do të jetë një arbitër i njohur për Shqipërinë, ai që do të drejtojë sfidën e së hënës në “Loro Boriçi” mes kuqezinjve dhe Maqedonisë.
Bëhet fjalë për turkun Huseyin Goçek, i cili do të vendosë drejtësi bashkë me ndihmësit, Mustafa Eyisoy e Kemal Yilmaz.
39-vjeçari është pjesë e FIFA-s që prej vitit 2008 dhe është një njohje e vjetër për shqiptarët. Goçek ka drejtuar sfidën miqësore të Stambollit në vitin 2012 mes Shqipërisë dhe Iranit ku skuadra e De Biasit fitoi 1-0 me një gol të shënuar nga Emiljano Vila, ndërsa fakti më interesant është se 39-vjeçari turk ka drejtuar edhe miqësoren e vitit 2010 mes Shqipërisë dhe Maqedonisë që u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0, transmeton Supersport.
Goçek ka rezultuar me fat edhe për skuadrën e Skënderbeut pasi në 28 Korrik të vitit 2015 ai drejtoi ndeshjen mes Milsamit dhe Skënderbeut në Moldavi ku skuadra korçare fitoi 2-0 duke hedhur një hap të madh drejt fazës së tretë paraeliminatore të Champions League.
Për sa i përket karrierës ndërkombëtare, Goçek ka drejtuar një numër të madh ndeshjesh në Europa League por edhe në eliminatoret e Kampionateve Botërore apo Evropiane.