Telegrafi

15 vjet në NATO, Begaj: Më shumë siguri për vendin dhe rajonin

Shqipëria sot shënon 15 vjetorin e anëtarësimit në Aleancën politiko-ushtarake më të fuqishme në botë, NATO.

Presidenti Bajram Begaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky anëtarësim realizoi aspiratën e popullit shqiptar, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti.

Begaj tha se gjatë këtyre 15 vitet e Shqipërisë në NATO kanë sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapsirën Euro-atlantike.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e popullit shqiptar ndaj SHBA-ve dhe aleatëve Perëndimorë, të cilët mundësuan këtë anëtarësim.

Postimi i plotë:

Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë.

Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.

Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje.

Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe. /Telegrafi/