Telegrafi

14 prilli, Dita Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, kupolat e Bibliotekës Kombëtare do të ndriçohen me ngjyrat e lules Anemonë

14 Prilli në Kosovë shënohet si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë. Përmes shënimit të kësaj dite përkujtojmë vuajtjet dhe traumat e atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo ditë synon të njohë padrejtësinë e përjetuar dhe traumën si pasojë e krimeve të tilla dhe njëkohësisht të rrisë ndërgjegjësimin për drejtësinë e vonuar dhe luftën kundër stigmës.

Në shënimin e kësaj dite, këtë të diel më 14 prill 2024, QKRMT do të organizojë vizitë te memoriali  “Heroinat” në ora 12:00, ku drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani do të mbajnë konferencë për medie, ndërkaq në ora 20:00 do të bëhet ndriçimi i kupolave të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë me ngjyrat e lules Anemonë – simbolit të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në Kosovë.

Dhuna seksuale e ushtruar gjatë luftës së fundit në Kosovë është një realitet i dhimbshëm. Kjo lloj dhune është përdorur si armë lufte me qëllim për të poshtëruar, frikësuar dhe për të shtrirë kontroll mbi popullsinë.

Përtej dëmit fizik dhe emocional që u shkaktohet viktimave në momentin e dhunimit, kjo formë e dhunës ka edhe pasoja afatgjata në shëndetin e tyre mendor, marrëdhëniet shoqërore dhe mirëqenien e tyre të përgjithshme.

Në gjendjen e pasluftës marrëdhëniet shoqërore midis të mbijetuarve dhe pjesës tjetër të shoqërisë dominohen kryesisht nga stigma ndaj dhunës seksuale gjatë luftës. Sipas raporteve, stigma për dhunën seksuale gjatë konfliktit vazhdon të dominojë në shoqërinë tonë.

Kjo stigmë mund të shfaqet në mënyra të ndryshme sociale, kulturore dhe sistematike, duke prekur si të mbijetuarit ashtu edhe familjet e tyre.

Pse kjo datë?

5 vjet më parë në një ditë si 14 Prilli i vitit 1999, Vasfije Krasniqi Goodman së bashku me familjarë, miq dhe aktivistë të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e te Mbijetuarve të Torturës – QKRMT vizituan vendin ku Vasfije Krasniqi Goodman, atëherë 16 vjeçare, u sulmua seksualisht nga një polic.

Gjatë dëshmimit të saj para Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan tmerrin që e ka përjetuar nga forcat serbe, ajo në fund fare u shpreh se: “Sot jam nënë e dy vajzave dhe ua them atë çfarë unë kam kaluar dhe nuk do të jem në paqe deri sa të shoh drejtësinë. Kërkoj përndjekjen e krimineleve duke marre veprime imediate që do të ishte drejtësi për të gjithë të mbijetuarat”.

Duke marrë parasysh historinë e dhembshme të saj dhe të mijëra të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të tjerë, autoritete qeveritare iu propozua që kjo datë të njihet si ditë zyrtare për të mbijetuarit.

Disa vite më pas, pas avokimit të QKRMT-së, Qeveria e Kosovës në konsultim me presidenten e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 12 Prill të vitit 2023, datën 14 Prill e shpalli zyrtarisht si Ditë Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë rrugëtim po ashtu duhet të përmendet edhe kontributi i organizatave partnere të platformës “Bëhu Zëri Im” (Qendra Kosovare për Rehabilitimin e te Mbijetuarve të Torturës, Medica Gjakova, Medica Kosova dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave).

Platforma Bëhu Zëri Im vazhdon të shërbejë si pikë referente në përfaqësimin e interesave të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në proceset e adresimit të çështjeve që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale, njohjen e statusit të viktimës, të drejtat e tyre dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar.

Feride Rushiti, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së theksoi në lidhje me shënimin e kësaj dite se “Kjo njohje e fuqishme simbolike shërben si forcë shtytëse për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë që njeh dhe trajton padrejtësitë dhe vuajtjet e të mbijetuarve dhe shërben si shembull arritje në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe ndërgjegjësimit mbi të kaluarën e dhimbshme”.

Ajo shtoi se “14 Prilli është një kohë për të kërkuar drejtësi dhe qasje të të mbijetuarve në shërbime mbështetëse gjithëpërfshirëse, duke përfshirë kujdesin mjekësor, rehabilitimin psikosocial dhe ndihmën ligjore.”

E mbijetuara Shyrete Sulimani Tahiri, në raport me stigmën dhe kërkimin e drejtësisë, këmbëngul se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, sado që të të vështirë e kanë, duhet të ngrisin zërin, të kërkojnë drejtësinë e vonuar dhe të jetojnë jashtë hijes së dhimbjes.

“Dhuna seksuale në kontekstin e luftës është një realitet i tmerrshëm, që shkakton vuajtje të mëdha dhe trauma të pashmangshme për të mbijetuarit. Unë, si njëra prej tyre kam marrë guximin për t’u mos fshehur pas hijes së dhimbjes së padukshme dhe për të ngritur zërin për drejtësi”, u shpreh e mbijetuara dhe aktivistja Shyrete Tahiri Sulimani.

Sipas saj, guximi është parakusht themelor për të luftuar stigmën dhe për t’u arritur ndërgjegjësimi social.

Ndërkaq, për rëndësinë e zyrtarizimit të kësaj dite në raport me memorien kolektive dhe raportet shoqërore në periudhën e pasluftës, psikologia Selvi Izeti Çarkaxhiu nga QKRMT u shpreh se “në aspektin psikologjik zyrtarizimi i kësaj dite të veçantë dedikuar ekskluzivisht të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës është njohje e dhimbjes dhe e vuajtjeve të të mbijetuarve, është dokumentim i së vërtetës dhe thirrjes së memories kolektive”.

“Në këtë moment, ne gjithashtu bëjmë thirrje për shoqërinë kosovare që të sfidojë stigmën dhe të inkurajojë zërat e heshtur të dëgjohen. Është koha për më shumë empati dhe mbështetje për të gjithë të mbijetuarit. Bashkë, ne mund të ndërtojmë një shoqëri më të përfshirë dhe të drejtë për të gjithë”, tha ai.

Ngjashëm me vendet e tjera të dala nga lufta, memoralizimi i të kaluarës shërben si një shtyrje e  vazhdueshme në përpjekjet për të parandaluar që krime të tilla të ndodhin në të ardhmen dhe për të përforcuar mekanizmat e mbështetjes për të mbijetuarit.

/Telegrafi/