Telegrafi

14 milionë euro nga veturat e vjetra

Vendimi i qeverisë, që lejon importim të veturave më të vjetra se 13 vjet, ka bërë që numri i veturave të vjetra të importuara nga vende të ndryshme, kryesisht evropiane, të shënojë rritje, raporton KTV.

Për vetëm 5 muaj, në vendin tonë janë importuar 6 mijë vetura të vjetra, nga të cilat shteti ka përfituar 14 milionë euro, ndërsa vetura të reja janë importuar vetëm 466 copë, të cilat i kanë sjellë fitime vendit për 1.7 milion euro.

Sa iu përket veturave të përdorura, vitin e kaluar janë sjellë mbi 16 mijë sosh, nga të cilat buxheti i vendit ka përfituar mbi 36 milionë euro. Bazuar në të dhënat e Doganave të Kosovës, trendi i importit të veturave të përdorura do të vazhdojë me ritëm të njëjtë.

Gati të gjitha veturat e importuara e kanë origjinën e markave të njohura gjermane, të përcjellë nga ato franceze dhe japoneze.

Megjithatë, doganat nuk kanë një mekanizëm për të vlerësuar nëse veturat, që tashmë janë zhdoganuar, janë futur në territorin e Kosovës nga jashtë, apo një pjesë e tyre kanë qenë brenda vendit, por nuk kanë qenë në funksion për shkak të viteve të vjetërsisë së tyre.

Vazhdimi i zgjatjes së afateve për veturat e përdorura, sipas shoqërisë civile, po sjell dëme të mëdha për vendin në aspektin e ndotjes së ambientit dhe në rritjen e rrezikut në komunikacion.

Me vendimin e fundit për veturat deri në 2000 kubikë, ku hyjnë pjesa dërrmuese e veturave në vendin tonë, çmimet e akcizës sillen nga 400 euro, për ato që janë vetëm 8 vjet të vjetra, deri në 1500 euro, për veturat me vjetërsi mbi 17 vjet.

Ndërsa për ato automjete që janë mbi 2000 kubikë, pagesa e akcizës është më e lartë. /Telegrafi/

Nga mbi 200 mijë vetura që gjenden në vendin tonë, ka edhe vetura të regjistruara, të prodhuara në vitin 1942, ndërsa mbi 15 mijë janë prodhim i 1989-ës. Përpos lejimit të importit të veturave të vjetra, vendi ynë shquhet edhe për numër të madh tatimesh, që vozitësi është i detyruar t’i paguajë para se t’i lejohet vozitja.

Përpos doganave, akcizën dhe TVSH-në, posa është futur vetura në territorin e Kosovës, pronari i veturës është dashur ta paguajë edhe homologimin, sigurimin e automjetit, taksën rrugore, taksën ekologjike, taksën komunale, librezën e regjistrimit dhe tabelat, transmeton Koha.net.

Të gjitha këto normalisht kanë mundur të bëhen vetëm nëse pronari i veturës i ka pasur të paguara tatimet e pronës në komunë. /Telegrafi/