Ministri i Financave Avdullah Hoti ka bërë të ditur se në muajt janar dhe shkurt, 138 kompani kanë përfituar 2.1 milionë euro lirime në import të makinerive prodhuese, lëndës së parë dhe teknologjisë informatike.
“Gjatë këtyre dy muajve, vlera e importit të makinerive prodhuese, lëndës së parë dhe teknologjisë informatike ka qenë 12.4 mil euro. Ministria e Financave, përmes autorizimeve të lëshuara nga Dogana dhe ATK, ka liruar 138 kompani nga pagesa e TVSH-së me rastin e këtij importi. Vlera e lirimeve ka qenë 2.1 milion euro, që mund të merret si shumë me të cilën Qeveria po mbështet prodhimin vendor” ka shkruar ai në Facebook, transmeton Klan Kosova.
Ai ka thënë gjithashtu se Ministria e Financave është duke punuar me Doganën dhe ATK-në për të lehtësuar më tutje procedurat e marrjes së autorizimeve për të përfituar nga lirimet në pagesën e TVSH-së në import të makinerive prodhuese, lëndës së parë dhe teknologjisë informatike.
Hoti gjithashtu ka thënë se ATK, në ditët në vijim, do të publikojë listën e kompanive që kanë marrë autorizime për lirim nga pagesa e TVSH-në në import.