Telegrafi

Largimi i Britanisë nga BE dobëson NATO-n, thotë oficeri amerikan

Nëse Britania voton pro largimit nga Bashkimi Evropian mund të shkaktojë një ndikim negativ ndaj NATO-s, ka paralajmëruar një komandant i ushtrisë amerikane.

Nëngjeneral Ben Hodges, shef i Ushtrisë Amerikane në Evropë, shprehu shqetësimin e tij se largimi i Mbretërisë së Bashkuar mund të vijë në një moment kritik, kur Evropës i duhet të përballet me Rusinë.

Siç transmeton TCH, Hodges ka deklaruar se, votimi është një çështje e popullit britanik, por theksoi se është mjaft i shqetësuar për rezultatin.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe ndërhyrja e saj në Siri kërcënoi sigurinë e Evropës. Rusia ka armatosur krizën e emigrantëve duke detyruar mijëra prej tyre të largohen drejt Evropës”, deklaroi Hodges.

Oficeri i lartë nënvizoi se, aleanca e NATO-s dhe Bashkimi Evropian duhet të shprehin solidaritet përballë agresionit rus, “por uniteti mund të vihet në rrezik nëse Britania voton për t’u shkëputur”, ka thënë ai për BBC.

Lobuesit e shkëputjes në Britaninë e Madhe deklarojnë se vota pro braktisjes së BE-së nuk do të prekë pozicionin e Londrës në NATO.

Mbretëria e Bashkuar do të votojë nëse do të qëndrojë ose jo në BE në një referendum që do të mbahet më 23 qershor.