Në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar kushtet e mësimdhënies, Komuna e Klinës ka angazhuar një investim prej rreth 130 mijë eurove në Shkollën e Mesme të Lartë “Luigj Gurakuqi”.
Ky projekt i rëndësishëm përfshin rinovimin e shkollës dhe përmirësimin e infrastruktures dhe pajisjeve shkollore.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Komuna e Klinës ka bërë të ditur vizitën e krytarit të këtij qyteti në këtë shkollë.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka theksuar se projekti i realizuar përfshin dy investime kryesore me një vlerë totale prej rreth 130,000 euro, duke dhënë detaje mbi përmirësimet që do të realizohen.
“Në kuadër të investimeve në këtë shkollë po realizohen dy projekte në vlerë rreth 130,000 euro. Po bëhen investime në rinovimin e shkollës, fasadimin e mureve, vendosjen e dyerve të reja, rregullimin e kabineteve të informatikës, rregullimin e kabinetit për kimi dhe biologji, shtrimin e dyshemesë me epoksid dhe rregullimin e sistemit të ngrohjes qendrore. Po ashtu, kemi investuar edhe në blerjen e inventarit të ri në kabinete dhe klasë, i cili do të vendoset pas kryerjes së punimeve për rinovim të shkollës”, ka thënë Elezaj, transmeton Telegrafi.
Këto investime synojnë përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit e “Luigj Gurakuqi”, duke e bërë ambientin shkollor më të përshtatshëm dhe funksional. Komuna e Klinës është e angazhuar për të mbështetur zhvillimin e arsimimit dhe për të ofruar kushte të shkëlqyera për edukimin e brezave të ardhshëm.