Site icon Telegrafi

13 vjeçarja përjashtohet për shkak të mbulesës, protestojnë nxënësit e shkollës “Asdreni” në Pejë

Përjashtimi i nxënëses E.L nga shkolla “Asdreni “ në Pejë, vetëm për shkak të mbulesës, ka nxitur reagime.

Sot shokët dhe shoqet e klasës së saj kanë vendosur që të bojktojnë mësimin. Ata kanë protestuar duke kërkuar që shoqja e tyre e klasës të kthehet shkollë.

Lidhur me këtë rast familjarët e nxënëses E.L kanë angazhuar avokatin Gëzim Baloku që të merret me rastin.

Baloku në një prononcim për Telegrafin ka treguar se nxënësja E.L ka vendosur mbulesën gjatë pushimeve verore, dhe me tu kthyer në shkollë drejtoresha i ka thënë që të mos vie më.

“Ka shkuar në shkollë me mbulesë dhe drejtoresha i ka thënë se më nuk mund ta vijojë mësimin”, ka thënë avokati Baloku.

Ky i fundit i është takuar me drejtoreshën e shkollës “Asdreni”, Agime Lajqi, nga e cila e ka kërkuar vendimin me shkrim për përjashtimin e të miturës.

Sipas avokatit Baloku, drejtoresha nuk ia ka dhënë vendimin me shkrim si dhe për të shkuar tutje drejtoresha e ka paraqitur rastin në Policinë e Pejës me pretendimet se është shqetësuar nga avokati Baloku, e ky i fundit më pas është ftuar në polici për deklaratë.

“Pres vendimin me arsyetim përse drejtoresha ka vendosur që të mos e lejoj të vijojë mësimin nxënësja e cila është 13 vjeçare. Drejtoresha e ka lajmërua policinë, gjoja se është frikësuar nga ana ime dhe pastaj jam ftuar nga policia për të dhënë deklaratë. Sot isha me nënën e vajzës në shkollë dhe pritëm që të takoheshim me drejtoreshën por ajo nuk kishte ardhur”, tha Baloku.

Ai nuk përjashtoi mundësinë e ushtrimit të kallëzimit penal për drejtoreshën e shkollës “Asdreni” nga familjarët e nxënëses së përjashtuar. /Telegrafi/

Exit mobile version