Site icon Telegrafi

13-vjeçari nga Prizreni dyshohet se u abuzua në Shqipëri, policia nuk e heton rastin

Dhuna fizike dhe ajo seksuale ndaj të miturve sa vjen e shtohet. Një fat të tillë pati edhe një 13-vjeçar nga Prizreni, i cili dyshohet se u abuzua seksualisht nga një i rritur nga Shqipëria. Nëna e viktimës e kishte njoftuar Policinë në Kosovë, por rasti u hetua vetëm në aspektin e zhdukjes.

Në hulumtim i realizuar nga RTK-ja, rezulton se me ligj parashihet që fëmijët të kenë trajtim të veçantë, sidomos të miturit. Por, një të tillë nuk e pati një i mitur nga Prizreni, i cili u trajtua si fëmijë i zhdukur, por nuk u hetua nëse me të u abuzua.

Nëna e fëmijës 13-vjeçar, i cili para disa ditësh e kishte kaluar kufirin dhe ishte nisur për në Shqipëri me persona të panjohur, e kishte lajmëruar Policinë e rajonit të Prizrenit për këtë rast. Por sipas saj, Policia nuk kishte reaguar.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, i mituri dyshohet se u abuzua, pasi dëshmi janë edhe videot që janë publikuar në rrjetet sociale, ku gjuha e përdorur është denigruese për një fëmijë të kësaj moshe.

Në videot e shfaqura në Youtube dhe në platformën Tik Tok, fëmijës i kërkohej t’i ekspozojë organet gjenitale, derisa videoja po shfaqej në kohë reale.

Policia e Kosovës arriti ta kthejë të miturin në vend vetëm pas një jave, por nuk filloi asnjë hetim se si u trajtua ai nga një i rritur i moshës 36-vjeçare.

Hetime për abuzimin e tij nuk kanë nisur as në Shqipëri e as në Kosovë.

Për një gjë të tillë, shqetësim ka shprehur edhe shoqëria civile.

13-vjeçari për momentin gjendet në paraburgim në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ndërsa është duke u hetuar për vjedhje të rëndë.

Exit mobile version