Site icon Telegrafi

13 marrëveshjet që u nënshkruan sot mes Kosovës dhe Shqipërisë

Nën moton “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij” është mbajtur mbledhja e gjashtë e dy qeverive shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë mbledhje dy qeveritë nënshkruan 13 marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.

Në mbledhjen e të dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u shpreh se takimet ndërqeveritare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë një mundësi shumë e mirë, qoftë për të bërë një bilanc të hapave të hedhur, qoftë për të hedhur piketat për hapat e mëtejshëm.

Rama tha se hapat e hedhur nuk janë të vegjël megjithëse tha se distanca deri në përmbushjen e tyre mbetet e madhe. Ai tha se të gjitha dokumentet e nënshkruara nga mbledhja e Pejës janë në zbatim ose procesi i zbatimit të tyre ka përfunduar.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e dy qeverive tha se përmes marrëveshjeve që sot po nënshkruhen po tregohet një vendosmëri që bashkërisht të zgjidhen problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e ekonomia e dy vendeve. Ai tha se lista e marrëveshjeve të sotme po niset një fazë e re e bashkëpunimit në të gjitha fushat në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Avdullah Hoti foli edhe për përballjen e Kosovës me pandeminë e COVID-19 dhe ndikimin e saj në ekonominë kosovare, për çka tha se përkundër efektit të pandemisë, vitin 2020 Kosova mund ta mbyll me një rënie ekonomike -1 deri në 3 për qind.

Marrëveshjet, protokollet, memorandumet dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara ndërmjet ministrive përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, janë si më poshtë:

1. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës mbi bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;

2. Marrëveshje ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës për vlerësimin e krijimit të Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës;

3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste Fatkeqësish Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;

4. Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;

5. Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;

6. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës për Mobilitetin në Punë;

7. Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës;

8. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës për themelimin e Ligës së përbashkët të basketbollit, ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës;

9. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;

10. Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës;

11. Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës;

12. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës;

13. Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, në përballje me COVID-19; /Telegrafi/

Exit mobile version