Telegrafi

12 vjet nga debutimi i të madhit, Lionel Messi! (Video)

Kanë kaluar vetëm 12 vjet nga debutimi i tij, por duket se ai ka një jetë që prodhon vetëm spektakël të një klasi të jashtëzakonshëm.

Pikërisht në 16 tetor të vitit 2004, Lionel Messi bëri debutimin e tij me skuadrën e Barcelonës, në derbin me Espanyolin, në “Montjuic”.

Ishte vetëm 17 vjeç, 3 muaj e 22 ditë kur Frank Rijkaard i besoi djaloshit argjentinas paraqitjen e parë.

Nëntë minuta nga fundi i takimit, Messi mori vendin e një tjetër ylli të Barçës dhe futbollist botëror, portugezit Deco.

Lexo po ashtu Zbulohet misteri: Ky lojtar i madh nuk lejon që Argjentina t'a ftojë Icardin

“El messiah”, siç u quajt më vonë, mbante në shpinë numrin 30 dhe Rijkaard vendosi ta aktivizojë si sulmues të majtë. Në atë mbrëmje, ku ishin të pranishëm 34 mijë spektatorë, Messi nuk la ndonjë gjurmë të madhe, ndërsa i vetmi futbollist që është ende në aktivitet nga ajo ndeshje është Andres Iniesta.

Messi do të shënonte të parin gol të tij me Barçën 7 muaj e gjysmë nga debutimi, më 1 maj 2005, në “Camp Nou”, kundër Albacetes.

Messi në këto 12 vjet ka luajtur 354 ndeshje për Barcelonën dhe ka shënuar 317 gola.

Ka fituar 8 tituj kampioni në Spanjë, 4 Kupa të Mbretit, 7 Superkupa të Spanjës, 4 Champions League, 3 Superkupa të Evropës dhe 3 Botërorë për Klube. Pa harruar këtu 5 Topa të Artë dhe dhjetëra trofe e rekorde personale.

Lionel Messi është vula e futbollit, ndoshta më i miri i të gjitha kohërave. /Telegrafi/