Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 15.938 raste nga 71.865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 92 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.143 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.157.
Ndryshe, një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se gjatë ditëve të vijim do të kalojnë në një tjetër nivel të masave mbrojtëse, për të ruajtur siç tha ai situatën epidemiologjike në vend.
Ministri Zemaj gjatë raportimit të menaxhimit të situatës me COVID-19, në Komisionin për Shëndetësi ka thënë se rënia e numrit të rasteve po u mundëson mobilizim të përgjithshëm dhe përgatitje për valë të mundshme të përhapjes së COVID-19.
“Në ditët në vijim do të kalojmë në një nivel tjetër të masave mbrojtëse të cilat janë të domosdoshme për ta ruajtur situatën epidemiologjike në vend”, ka thënë ai.
Zemaj po ashtu tregoi se Kosova renditet në shtatë vendet më të mira për situatën epidemiologjike dhe menaxhimin e pandemisë.