Tefta Tashko Koço, artistja e madhe shqiptare, përkujtohet në 110-vjetorin e lindjes.
Lindi më 2 nëntor 1910. Pasi familja e saj kishte emigruar në Egjipt, në vitin 1921 rikthehen në Korçë. Në Korçë nisin aktivizimet e para të saj si këngëtare. Më 26 qershor 1926 mbahet koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier të Francës, ku filloi studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit.
Gjatë karrierës së saj të shkurtër ngriti një talent të jashtëzakonshëm të ekzekutimit si në muzikën lirike qytetare, ashtu edhe në repertorin e pasur të muzikës klasike operistike. Krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë, si Mozart, Schubert, Verdi, Donizzeti Bellini, Puccini… në turnetë e saj nëpër Shqipëri, së bashku me pianisten Lola Gjoka, u kënduan edhe këngët popullore shqiptare. Falë angazhimit të madh artistik të Tefta Tashko Koços, kemi trashëgimi rreth 90 këngë, 36 prej të cilave i regjistroi në Paris dhe Milano në pllaka gramafoni.
“Kroi i fshatit tonë”, me muzikë të Kristo Konos dhe poezi të Lasgush Poradecit, apo “Kur më vjen burri nga stan”, “Zare trendafile”, “Unë o ty moj të kam dasht , “Kenke nur i bukurisë”… janë disa prej krijimeve popullore nga të cilat Tefta me zërin e saj të rrallë simbolizoi një epokë, një shoqëri, një periudhë historike shqiptare, për të mbetur në përjetësi, ikona e muzikës shqiptare.
U martua me Kristaq Koçon dhe pati një djalë me të, dirigjentin Eno Koço. Vdiq më 2 dhjetor 1947, në moshën 37-vjeçare.