Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.Z për shkak më 20.10.1989, rreth orës 9:30, në afërsi të kanalit për ujitje në D, i akuzuari në bashkëveprim me tani të dënuarin S.Z, e nga hakmarrja e paskrupullt, me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Z.U, i moshës 25 vjeçare.
Në njoftim thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që për shkak të një rrahje që kishte ndodhur me datë 02 qershor 1989, në mes të pandehurit me vëllain e tani të ndjerit, me ta vërejtur tani të ndjerin Z.U, e përcjellin për një kohë e pastaj i afrohen nga prapa, fillimisht tani i dënuari S, e kap për qafe me dorën e majtë, kurse me dorën e djathtë fillon ta godas me thikë në pjesën e përparme të regjionit të gjoksit, e ku i ndjeri në mbrojtje e sipër, së bashku me tani të dënuarin S, kanë rënë në kanalin e ujit.
“…I akuzuari H, zbret në kanal e përderisa i dënuari S, po e mbante për duarsh tani të ndjerin Z, i akuzuari e godet disa herë me thikë, në shpinë e në pjesë të tjera të trupit, me ç’rast tani i ndjeri, nga tani i dënuari S dhe i akuzuari, ka marrë gjithsej 16 goditje me thikë, shumicën prej tyre në organet vitale, e si pasoj e këtyre goditjeve, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit H.Z gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej 11 vjet në të cilin dënim i llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim.
I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguaj shumën prej 200 euro, në emër të paushallit gjyqësorë shumën 50 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit, shumën prej 50 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt civil.
Pas shpalljes së aktgjykimit, të pandehurit i vazhdohet paraburgimi gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/