Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj përmes një letre ka uruar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në 109 vjetorin e formimit.
Në këtë letër drejtuar homologut të tij, Niko Peleshi dhe Gjeneralit Bajram Begaj, ndër të tjera Mehaj thekson se sukseset e përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë do të forcohen në misione të përbashkëta.
“Suksese të përbashkëta që do të forcohen edhe më në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Mehajt.
Po ashtu, Mehaj në këtë letër thotë se bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake.
“E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë”, thuhet në letër.
Letra e plotë:
Letër-urimi për vëllezërit, Ministrin Peleshi dhe Gjeneral Begajn me rastin e 4 Dhjetorit -Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë
I dashur vëlla, Ministër Peleshi
I dashur vëlla, Gjeneral Begaj,
Të dashur motra dhe vëllezër, ushtarake e ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë,
Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, vendimi për themelimin e Ministrisë së Luftës dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, më 4 dhjetor 1912, është dhe mbetet një ndër datat dhe ngjarjet më të mëdha historike, jo vetëm për Shqipërinë Mëmë, por edhe për të gjithë shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj.
Në 30 vjetët që pasuan, pas rënies së Lidhjes së Prizrenit dhe shpërbërjes së forcave të saj ushtarake, shqiptarët nuk u ndalën në luftën e tyre për të siguruar autonominë dhe më pas pavarësinë e vendit.
Kryengritjet shqiptare që filluan në vitin 1908 u finalizuan me Shpalljen e Pavarësisë së vendit, më 28 Nëntor të vitit 1912., por padrejtësisht me mbi gjysmën e territoreve etnike shqiptare jashtë saj.
Vendimi i menjëhershëm i Qeverisë së Ismail Qemalit, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë, ishte domosdoshmëri në rrethanat e kohës.
Mbrojtja dhe përdorimi i Forcave të Armatosura kanë qenë domosdoshmëri në sfidat e mëdha për mbijetesën e shtetit shqiptar.
Për 109 vjet , Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rrugëtuan me sfidat që shoqëruan realitetin kompleks historik dhe gjeopolitik të rajonit, kontinentit dhe Botës mbarë.
Sot, në realitetin e ri, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përmbushin detyrat e saj operacionale ushtarake, duke përfaqësuar vlerat më të larta kombëtare dhe shtetërore si vend anëtarë i NATO-s, në misione paqeruajtëse dhe stabilitetit anembanë Botës.
Kjo na ka bërë dhe na bënë nder dhe krenar të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
E ndjenjë të veçantë kemi ne, zyrtarët dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Bashkëpunimi ynë tani më, është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake.
E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë.
Qoftë në relacionet tona vëllazërore, qoftë në relacione ndërshtetërore , qoftë edhe në proceset rajonale të iniciativave e programeve rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë.
Prandaj, sukseset tuaja si gjithmonë janë edhe suksese tona.
Suksese të përbashkëta që do të forcohen edhe më në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë.
Urime Dita e Forcave të Armatosura me kujtimin dhe nderimin për të gjithë bijtë e bijat e kombit tonë që derdhën gjak e djersë për të mundësuar krijimin e shtetit, ushtrisë kombëtare shqiptare, si dhe ruajtur vazhdimësinë dhe forcimin e tyre për 109 vjet.
Urime Dita e e Forcave të Armatosura gjithë zyrtarëve e ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!
Vëllazërisht,
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës
Armend Mehaj. /Telegrafi/