Time Shatri, 102 vjeçarja nga fshati Tumoc i Istogut rrëfen për Telegrafin historinë e jetës së saj që nga koha kur ishte vajzë e re e deri në ditët e sotme. Ajo thotë se e kishin “dhënë” te burri kur ajo ishte në djep, por pavarësisht kësaj ajo thotë se i kishte pëlqyer burri i saj.
Time Shatri thotë se kishin pasur jetë të lumtur bashkëshortore, e po ashtu ajo të gjitha punët i kryen vetë pasi nuk ankohet për probleme shëndetësore.
“Nganjëherë nga larg e shihesha, shumë ka qenë djalë i mirë, ka qenë çoban, i ka ruajt lopët, e unë e shihesha atë kur i dërgojke lopët në livadhe. Ne punojshim në fusha në ara, duke mbjellë misër e fasule, e ai kalojke në rrugë e unë e disha që është ai, po ashtu i bike edhe burisë”, tregon duke buzëqeshur gjyshja Time.
E burri i saj nuk ishte i vetmi që kishte shkuar për të kërkuar dorën e saj për martesë, kjo pasi gjyshja Time thotë se profesionin e rrobaqepësisë e kishte ushtruar që kur ishte 22 vjeçe.
Në konferencën e parë kur e kanë mbajtur më kanë kërkuar kam qenë e gjatë, i kam pasur 22 vjet atëherë, në atë kohë nuk ka pasur maqina të qepjes”, vazhdon tregimin e saj 102 vjeçarja.
Përveç tjerash, gjyshja Time thotë se tani këto kohëra janë shumë më të mira sepse vajzat kanë mundësi të zgjedhin vetë bashkëshortët e tyre nëse iu pëlqen apo jo.
“Tash shumë më mirë është, nëse i pëlqen e merr nëse nuk i pëlqen e lenë, as nuk mbytet babai as burri, atëherë ka qenë tjetër gjë, unë nuk kam guxuar as ta përmendi katundin e lë më burrin… në djep më ka ‘dhënë’, e gjatë gjithë kohës fëmijët e tjerë kanë bërë shaka me mua”, thotë ajo.
Edhe pse në moshë të shtyrë ajo nuk ka probleme të tjera shëndetësore përveç problemit me kordat e zërit e kjo e ka ndihmuar që kujdesin e kopshtit të saj mos t’ia lërë askujt tjetër në dorë.
E gjyshes Time nga ana e prindërve nuk i ka mbetur askush nga familja e saj e afërt, përveç disa nipave dhe mbesave.
“102 vjet i kam bërë në maj, askush nuk më ka mbetur prej familjes time, përveç nipave dhe mbesave të gjithë kanë vdekur, nuk kam motër as vëllezër të gjithë më kanë vdekur”, përfundon ajo. Por ajo tashmë shumë nipër e mbesa në Kosovë dhe në diasporë. /Telegrafi/