Nënkryetari i të rinjve të AAK-së Visar Dili ka ngritur akuza të rënda ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi ky i fundit i dha 100 mijë euro nga buxheti i dedikuar për fermerë, këshilltarit të tij.
Dili ka kërkuar sqarime edhe nga kryeministri Kurti lidhur me këtë rast.
“Aferat korruptive të njëpasnjëshme të Pecit po e degradojnë Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa ai përpiqet të paraqitet si ‘gardian’ i mbrojtjes së pasurisë së shtetit,” shkruan nënkryetari i forumit rinor të AAK-së.
Sipas tij, kjo është vetëm një përpjekje për të kamufluar keqpërdorimet që po ndodhin brenda ministrisë.
Përfaqësuesi i të rinjve të AAK-së thekson se buxheti i dedikuar për fermerët po përfundon në xhepat e njerëzve të afërt me ministrin, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie të menjëhershme.
“Fermerët e Kosovës meritojnë mbështetje reale, jo skandale e korrupsion”, përfundon Dili në reagimin e tij. /Telegrafi/