Site icon Telegrafi

​Parlamenti Britanik rifillon punimet

Deputetët britanikë rinisën sot punën në një atmosferë të tejnxehur, pas vendimit historik të Gjykatës Supreme, që anuloi vendimin e diskutueshëm të kryeministrit Boris Johnson, për të pezulluar parlamentin.

Kryeministri Boris Johnson do të përballet në parlament me një pritje armiqësore dhe me shumë kërkesa për të dhënë dorëheqjen.

Johnson injoroi thirrjet e menjëhershme për të dhënë dorëheqjen pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, duke deklaruar se nuk pajtohet me këtë gjykim.

Ai ishte shprehur se dëshironte të pezullonte parlamentin deri më datë 14 tetor, për t’i hapur rrugën një programi të ri pune të qeverisë në një seancë të re të parlamentit.

Kundërshtarët e akuzuan se po kërkonte të kufizonte shqyrtimin e planeve të tij që Britania e Madhe të largohet nga BE, me ose pa marrëveshje, më datë 31 tetor.

Gjykata vendosi se kërkesa e Johnson drejtuar mbretëreshës Elizabeth II për të ndaluar punimet ose pezulluar parlamentin ishte e paligjshme, e pavlefshme dhe pa efekt./ATSH/

Exit mobile version