Presidenti francez, Emmanuel Macron kundërshtoi sot nga tribuna e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara politikat izoluese të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Rendi i vjetër botëror i bazuar tek shteti po dështon dhe një qasje e re e shumanshme nevojitet për t’u marrë me çështjet kritike si ndryshimi klimatik dhe pabarazia”, deklaroi Macron.
“Njëanshmëria sjell drejtpërdrejtë izolimin dhe konfliktin, deri tek shkatërrimi i të gjithëve, madje edhe fundin e atyre që mendonin se ishin më të fuqishmit”, theksoi Macron.
“Ne e dinim që Irani ishte në rrugën e kapaciteteve bërthamore ushtarake. Çfarë e ndaloi atë? Marrëveshja e Vjenës në vitin 2015”, tha presidenti francez duke iu referuar marrëveshjes nga e cila Trump nxorri SHBA-në.
Për sa i përket ndryshimit klimatik, Macron shprehu një sfidë edhe më të qartë për Trump, duke thënë se “nuk do të ketë asnjë marrëveshje të re tregtare me vende që nuk respektojnë Marrëveshjen e Parisit për të limituar ndryshimin klimatik”.
Megjithatë, në disa çështje të tjera si lufta kundër terrorizmit dhe konfliktit në Siri, Parisi dhe Uashingtoni qëndrojnë shumë pranë njëri-tjetrit.
Macron sugjeroi gjithashtu se duhet një veprim botëror për të luftuar “arsyet e thella të pabarazive pabarazi të thella kanë zënë rrënjë bashkë me një përqendrim shumë të lartë të pasurisë”. “Për mendimin tim, kjo është zemra e problemeve tona”, tha ai duke argumentuar se ky fenomen ka sjellë një rilindje të nacionalizmit radikal. /kp/Telegrafi/