Site icon Telegrafi

​Komuna e Klinës shpenzon mbi 88 mijë euro për dënime nga gjykata

Organizata Joqeveritare, Koha, e cila monitoron Komunën e Klinës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka pasur ulje të shpenzimeve financiare në pjesën e parë të vitit në pothuajse të gjitha kategoritë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Në njoftimin e tyre, thuhet se mbeten shqetësuese shpenzimet e larta nga humbjet e rasteve nëpër gjykata, vërejtje kjo e theksuar edhe në raportet e mëhershme dhe nga ana Auditorit të Përgjithshëm

.“Megjithatë, Koha shfaq pakënaqësinë e saj ndaj shpenzimeve të larta, në vitet paraprake, nga ana e Komunës së Klinës të cilat kanë mundur të evitohen dhe orientohen në projekte me prioritet për publikun, si dhe shfaq shqetësimin për mos konsideratën ndaj shumë vërejtjeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.”, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se shuma e përgjithshme e buxhetit Komunal e shpenzuar në këtë gjashtëmujor është 3,710,766.01€, ku krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 ka një rënie të shpenzimeve prej -12.40%.

“Komuna e Klinës, në periudhën Janar-Qershor 2015, vetëm për udhëtime kishte shpenzuar 17,967.87€, kurse gjatë së njëjtës periudhe të këtij vitit këto shpenzime kanë pësuar rënie për -47.97%. Në kategorinë e shpenzimeve për karburante, po ashtu, ka pasur një rënie, ku gjatë periudhës së parë të vitit 2015 janë shpenzuar 50,810.42€, kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 janë shpenzuar 24,957.46€, me një ulje prej -50.88%. Në kuadër të telefonisë, Komuna e Klinës për këtë gjashtëmujor ka shpenzuar 15,084.66€, krahasuar me 18,010.07 të shpenzuara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015”, vazhdon njoftimi.

Nga kjo organizatë thuhet se pas miratimit të Rregullores për ndarjen e subvencioneve dhe transfereve nga Kuvendi Komunal, e cila nuk është ende në fuqi si pasojë e mos konfirmimit të legjitimitetit nga ministritë e linjës, Komuna ka filluar të ulë shpenzimet në këtë kategori nga 53,201.95€ sa ishin në gjashtëmujorin e parë 2015 në 46,241.63€ në të njëjtën periudhë në vitin 2016, me një ulje prej -13.08%.

“Shpenzimet për drekat zyrtare, po ashtu, kanë pësuar rënie prej -63.51%, gjegjësisht nga 9,526.89€ në 3,476.70. Pjesa më e madhe e buxhetit të shpenzuar nga Komuna e Klinës bie në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, mallrave dhe shërbimeve si dhe shërbimeve Komunale. Për paga dhe mëditje, në këtë gjashtëmujor, janë derdhur mjete financiare në shumën prej 2,832,581.33€, me një rritje prej +3.46% krahasuar me të njëjtën periudhë të viti 2015. Për mallra dhe shërbime, komuna ka paguar 303,318.18€, kurse për shërbime komunale 88,695.92€. Që të dy këto kategori, megjithatë, kanë pësuar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shqetësuese mbeten pagesat e larta për vendime gjyqësore, të cilat Komuna e Klinës detyrohet të paguajë si pasojë e mos respektimit të kontratave me persona fizik dhe juridik. Komuna e Klinës, për këtë periudhë dhe në këtë kategori, ka paguar shumën prej 88,798.76€, kurse për gjashtëmujorin e vitit 2015 kjo shumë kishte arritur në 39,470.70€. Si rezultat i këtyre shifrave rezulton se Komuna e Klinës është obliguar të shpenzojë mjete financiare me një rritje prej 124.97% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thuhet në fund të njoftimit.

Exit mobile version