Wayne Rooney ka përfunduar në qendër të kritikave pas publikimi të fotove ku ai shihet i dehur.
Kapiteni i Anglisë dhe Manchester Unitedit është bërë temë diskutimi në të gjitha mediat angleze pas publikimit të fotove të tij, në gjendje të dehur derisa ishte i grumbulluar me kombëtaren e ‘Tre Luanëve’.
Por, në mbrojtje të lojtarit, ka dalë trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp i cili thotë se të gjithë kanë pasur momente të tilla kur janë dehur apo kanë tymosur cigare, por fati i keq i Rooneyt është që ai ka dalë në media.
“Çka paska bërë Rooney? Çka ka pirë? E kanë zënë me një pije çfarëdo qoftë ajo dhe gjithë kjo zhurmë”.
“Ajo që dua të them është se më vjen keq për futbollistët. E di që ne të gjithë jemi pjesë e një jete tjetër, pasi që fitojmë shumë para. Por në fund të fundit, jemi njerëz”.
“Ndonjëherë jemi të ftuar në një dasmë, apo ditëlindje dhe nuk mund të sillemi atje si profesionistë duke shmangur njerëzit që pinë alkool apo cigare”.
“Dua t’iu garantoj që kjo gjeneratë e futbollistëve, është më profesionistja në historinë e këtij sporti, si në Angli ashtu edhe në tërë Evropën. Me siguri e dini se të gjithë ata që kanë luajtur në të kaluarën e që ju ende i admironi, kanë konsumuar alkool dhe cigare si dreqër, por në fund të fundit kanë qenë futbollistë të mirë”, ka përfunduar Klopp.