Telegrafi

​‘Karagaçi’ nikoqir i derbit të rivalëve të përbetuar

Sonte duke filluar nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” do të përballen Peja dhe Sigal Prishtina në kuadër të xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Njëherësh ky është ballafaqimi i tretë ndërmjet këtyre dy skuadrave në edicionin 2016/17, ku në të parin të luajtur në Pejë patën triumfuar verdhezinjtë me shifrat 81:73, kurse në të dytin më të mirë ishin bardhekaltrit, të cilët shënuan fitore bindëse me rezultat 74:58.

Ndërkaq në duelin e së shtunës pritet luftë e madhe në parket, duke marr parasysh faktin se tashmë kemi hyr në fazën e dytë të edicionit, në të cilën çdo fitore është e rëndësishme, ndërsa edhe çdo gabim mund të jetë i kushtueshëm.

Në kuadër të kësaj xhiroje të shtunën do të luhen edhe dy ndeshje të tjera, ku Kerasan Prishtina do të përballet me Bashkimin (16:00, Prizren) dhe Vllaznimi është nikoqir i Rahovecit (16:00), njofton Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).

Të dielën është në program vetëm një duel, ai në mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës që do të zhvillohet në Therandë me fillim nga ora 18:00.