Site icon Telegrafi

​Haziri: Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim në mënyrë që në qeverinë LVV-LDK mos të ketë ‘bomba të kurdisura’

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar se kanë punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar një kapitull të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK-së dhe LVV-së.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se, marrëveshja do të jetë përtej një mandati.

“Ne kemi punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK-së dhe LVV-së. Keni durim. Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim. Kjo ka me qenë marrëveshje përtej një mandati. Nuk ka të bëj me emrat e përveçëm, por me qartësime të pozitave dhe ndarje të drejtë e me vullnet të mirë, në mënyrë që në qeverinë LDK-LVV të mos ketë ‘bomba të kurdisura’”, ka shkruar Haziri në Facebook, njofton Telegrafi.

Një ditë më parë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka theksuar se me LDK-në kanë arritur marrëveshje për formatin e Qeverisë, por negociatat kanë ngecur te pozita e Presidentit, të cilën LDK e ka vendosur si kushtëzim dhe sipas Konjufcës LVV nuk pranon kushtëzime për Presidentin.

Kjo deklaratë ka zgjuar shumë reagime nga kampi politik i LDK-së, ku është njoftuar anulimi i takimit i paraparë për sot mes Kurtit dhe Mustafës.

Exit mobile version