Qyteti i Suharekës sot gjatë gjithë ditës ka frymuar ndryshe, mijëra qytetarë kanë mbushur qendrën e qytetit për të shikuar karnavalin, ku kanë parakaluar mbi 20 grupe nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Spanja e Meksiko, pastaj për të vazhduar me programin artistik që ka organizuar Kompania “Golden Eagle”.
Kompani kjo e cila u cilësua si njëra më serioze në Kosovë dhe se për këtë duhet të krenohet gjithë Kosova.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte dhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se dita e sotme është e veçantë dhe duhet të konsiderohet si sukses dhe të krenohet e gjitha Kosova me “Golden Eagle”.
“Krenohemi me kompaninë që e udhëheq zotëri Shaqir Palushaj, krenohemi me familjen punëtorë të Palushajt, prej babës. Prandaj kemi festë, pra është karnavali. Kemi festë që kemi një sukses te madh që na bën krenar dhe faleminderit që na keni bërë krenar më suksesin e juaj me punën e juaj. Na në Suharekë ka kompani të suksesshme, është Kompania ‘Solid’. Mua më vjen mirë që qeveria komunale edhe kur ishte zotëri Kuqi, por dhe tash me Bali Muharremajn po gjen mënyra me bashkëpunuar me sipërmarrësit”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i Kompanisë “Golden Eagle”, Shaqir Palushi tha se ky karnaval origjinën e ka qysh më kohën e Ilirëve.
“Qershori për ne është muaji i lirisë dhe nuk ka më mirë që festës së lirisë i shtojmë ngjyrat e karnevalit. Ngjyra këto që paraqesin respekt dhe dashuri për njëri tjetrin. Qëllimi ynë është që këtë festë të kthejnë në një ngjarje tradicionale”, tha ai.
Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj tha se si komunë do t’i japin përkrahje gjitha kompanive private.
“Kjo festë po i mbledhë të gjitha gjeneratat, të rinjtë të moshuarit… Komuna e Therandës janë punëtor, janë të civilizuar, këtë po e bën për herë të dytë kompania më e njohur, jo vetëm në Therandë por dhe Kosovë. Ne sot si komunë do t’i japim përkrahje gjitha bizneseve”, tha ai.