Site icon Telegrafi

​Brathu: Policia e Kosovës në linjë me standardet globale të sigurisë

Misioni i OSBE-së dhe Policia e Kosovës sot organizuan pritje për nder të çmimit ndërkombëtar për lidership nga kolonele Taibe Canollit.

Me këtë rast, komandanti i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në urimin e tij për marrjen e çmimit nga kolonelja Canolli, tha se çmimi është frymëzim për të gjithë që të punojnë më shumë, e me përkushtim të arrijnë hapave të koleges Canolli.

“Ky çmim duhet të jetë mesë paku personal për kolegen, me qenë se kjo është mbikëqyrëse e nivelit të lartë në Policinë e Kosovës, dhe e mbikëqyr një numër mjaft të madh të personelit, dhe kredia i shkon asaj, është meritë e saj, mirë po konsideroj që secili person që është sot këtu, që merr pjesë këtu, e ka një kontribut për çmimin që e ka marrë kolonelja Canolli”, tha Qalaj.

Ai shtoi se si drejtor i ri i Policisë së Kosovës, ndër kriteret e tij ka edhe përkrahjen e gruas në Policinë e Kosovës.

Jan Brathu, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, duke thënë se ajo është profesionale dhe sipas anketave 61 për qind e njerëzve janë të kënaqur me punën e Policisë së Kosovës.

Ai tha se përfshirja e femrave në Policinë e Kosovës është rritur në dy dekadat e fundit, e cila është rezultat i punës së menaxhmentit, duke bërë që ky institucion të ofrojë shërbime efikase për qytetarët e Kosovës.

Lexo po ashtu Kolonelja Taibe Canolli, shpërblehet me çmimin e parë ndërkombëtarë të lidershipit 'IAWP'

“Kjo është arritje e rëndësishme për Canollin, por po ashtu edhe për njohjen ndërkombëtare të përpjekjeve të Policisë së Kosovës duke qenë në linjë me avancimin e standardeve globale të sigurisë. Policia e Kosovës ka pasur angazhime të vërteta për zhvillimin e karrierës për femra oficere dhe OSBE vazhdon të ofrojë mbështetje për këto përpjekje”, tha Brathu.

Fituesja e çmimit, Taibe Canolli, e cila është drejtoreshë për Burime njerëzore në Policinë e Kosovës, tha se rrugëtimi në karrierë për një zyrtar policor, nuk është asnjëherë i lehtë, shtuar kësaj faktin e të qenurit zyrtare policore, në një shtet dhe shoqëri të posa dalur nga lufta, siç ishte Kosova, dhe ky fakt e bënë akoma më krenare për të kaluarën e saj dhe të organizatës të cilës i takon.

“Vërtet optimizmi është besimi që udhëheq drejtë arritjeve, andaj ky optimizëm, ky besim më ndihmoj dhe më dha guxim t’i tejkaloj të gjitha ato vështirësitë të cilat u shfaqën në rrugëtimin e karrierës sime. Edhe për kundër sfidave dhe vështirësive që ne kemi pasur për këto 19 vite punë në Policinë e Kosovës, prapë se prapë mund ta them se jam ndier gjithmonë e motivuar që të gjithë energjinë time t’ia kushtoj zhvillimit të Policisë së Kosovës, gjithmonë kisha në mendjen e time se veprimet ishin më të zëshme se sa fjalët, prandaj ne duhet të udhëheqim me shembuj, e jo me fjalë”, tha Canolli.

Kolonelja e Policisë së Kosovës, Taibe Canolli, është shpërblyer me çmimin ndërkombëtarë të Lidershipit të IAWP në Kanada.

Ky çmim i jepet policëve, që dallohen me të arriturat e tyre të vazhdueshme në Lidership, në zgjidhjen e problemeve, planifikimit, organizimit, komunikimit, të cilët japin një kontribut të rëndësishëm brenda agjencisë ose misionit për zbatimin e ligjit.

 

Exit mobile version