Site icon Telegrafi

​BE-ja tërheq tetë vende nga lista e zezë e parajsave fiskale

Njëzet e tetë ministrat e Financave të Bashkimit Evropian tërhoqën sot tetë vende nga lista e tyre e zezë e parajsave fiskale, përfshirë dhe Panamanë.

“Tetë vende si Panamaja, Koreja e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tunizia, Mongolia, Macao, Grenade dhe Barbade janë tërhequr nga lista e zezë, pas angazhimit të tyre për të zhdukur shqetësimet e BE-së”, njoftoi Këshilli i ministrave të Financave të Unionit në një komunikatë.

Si përfundim, më shumë se nëntë vende mbetën në këtë listë të zezë, miratuar më 5 dhjetor 2017, që është e para në historinë e Bashkimit Evropian. Kjo listë ka të bëjë vetëm me juridiksionet që ndodhen jashtë BE-së.

“Për secilin nga tetë vendet e tërhequra, autoritetet kanë shprehur angazhimet e tyre nëpërmjet letrave të nënshkruara në një nivel shumë të lartë”, sipas komunikatës.

“Lista e zezë funksionon”, theksoi ministri bullgar i Financave, Vladislav Goranov, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së Bashkimit Evropian për gjashtë muaj.

“Vendet përkatëse kanë punuar fort për t’u angazhuar për reformimin e politikës së tyre fiskale”, theksoi ai.

Edhe ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, reagoi në rrjetin social Twitter: “Lista e zezë e parajsave fiskale, presioni evropian i dha rezultatet e para!”.

Këto tetë vende të tërhequra nga lista e zezë kalojnë në një listë gri, atë të vendeve që janë angazhuar për drejtim të mirë përsa i përket politikës së tyre fiskale. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version