Policia në Vushtrri ka arrestuar katër persona, të cilët dyshohen për pjesëmarrje në ngjarjen që kishte ndodhur ditë më parë me ç’rast ishte plagosur me armë zjarri G.F. 23 vjeçar, ndërsa lëndime kishte marr edhe A.M. 22 vjeçar.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se në bazë të të dhënave të para të siguruara, policia ka identifikuar dhe ka arrestuar fillimisht të dyshuarin G. L., 18 vjeçar, tek i cili është konfiskuar një armë pistoletë, ndërsa rrjedha hetimore ka rezultuar edhe me arrestimin e tre të dyshuarve tjerë V.M., 17 vjeçar, A.L.,43 vjeçar dhe B.L., 45 vjeçar.
“Pas procedurave intervistuese dy të dyshuarve të parë, të dyshuar për tentim vrasje, u është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa dy të dyshuarit tjerë, të dyshuar për pjesëmarrje në përleshje, janë liruar për procedurë të rregullt. Nga hetimet e para të zhvilluara bëhet e ditur se incidenti ndërmjet katër të dyshuarve dhe dy viktimave ishte si rrjedhojë e një mosmarrëveshje të çastit”, ka thënë Zahiti.
Ai shtoi se rasti po hetohet me elemente të veprës penale ‘tentim vrasje’.