Aleanca Kosova e Re sot ka mbajtur takim me strukturat udhëheqëse të partisë, në të cilën ka zgjedhur shtabin qendror zgjedhor dhe shtabet zgjedhore në nivel lokal në prag të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të këtij viti.
Para strukturave udhëheqëse, presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, ka shprehur besimin e tij që me një mobilizim të anëtarësisë dhe me një program politik zhvillimor për qytetarët e vendit, koalicioni AKR-NISMA do të bëjë ndryshimet që i nevojiten vendit.
“Ky koalicion do të ketë rol vendimtar në formimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës. AKR është e organizuar në shumicën e komunave të Kosovës dhe presim që puna jonë e sinqertë dhe dinjitoze që kemi bërë në këtë qeveri do të përkrahet dhe vlerësohet nga qytetarët e Kosovës”, tha Pacolli.
Ndryshe, AKR në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të garojë në koalicion me Nismën Socialdemokrate.