Shefja e Zyrës së BE-së Natalyia Apostolova dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë shprehur edhe një herë kundërshtitë në mes të institucioneve kosovare dhe atyre evropiane sa i përket liberalizimit të vizave.
Pas takimit të mbyllur me anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Veseli tha se lëvizja e lirë duhet të bëhet deri në fund të vitit, kurse Apostolova përveç që u rezervua nga dhënia e afateve, bëri thirrje që edhe të tjerët të mos marrin përsipër zotime.
Apostolova këtë takim e vlerësoi si mjaft konstruktiv, duke shtuar se ekspertët e BE-së do të japin këshilla për sfidat me të cilat përballet komisioni.
Ndërkaq, kreu i PDK-së ka përdorur fjalën “racizëm” për të aluduar në situatën ku liberalizimi s’do të arrihet brenda vitit.
Kuvendi ka filluar seancën e jashtëzakonshme me qëllim miratimin e rezolutës e cila do t’i ndalonte Presidentit Hashim Thaçi diskutimin e territorit në negociatat me Serbinë.
Por Apostolova është treguar e rezervuar kur u pyet nëse e përkrah rezolutën e kërkuar nga LDK-ja.“Nuk mund të them asgjë për këtë”, u shpreh Apostolova, duke treguar edhe një herë pikëpamjen e BE-së për bisedimet në mes të dy shteteve. /KP/