Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se viti që po lëmë pas ishte vit i hapjes së mundësive të reja për qytetarët tanë, por edhe i kalitjes me sfidat e shtetit dhe shoqërisë për të ardhmen tonë evropiane.“Është kënaqësi t’ju drejtohem në natën e fundit të vitit me urimet më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja. Viti që po lëmë pas ishte vit i hapjes së mundësive të reja për qytetarët tanë, por edhe i kalitjes me sfidat e shtetit dhe shoqërisë për të ardhmen tonë evropiane. Sonte derisa festojmë dhe urojmë njëri-tjetrin, kujtojmë edhe ata që janë në vendet e tyre të punës: policët, zjarrfikësit, mjekët, punëtorët, që kujdesen për ne të festojmë në rehati dhe qetësi. Ata janë heronjtë e sotëm, sepse me shembullin e tyre tregojnë atë për çfarë shteti ynë ka nevojë më së shumti, që secili të kryejë punën e vet me nder e përgjegjësi. Urime të veçanta edhe ushtarëve të FSK-së dhe diplomatëve tanë që sonte festojnë larg familjeve të tyre. Duke u zotuar se do të punojmë edhe më shumë, se do ta duam edhe më shumë shtetin tonë, le të urojmë njëri-tjetrin me dëshirat më të mira për vitin 2017. Gëzuar!”, ka thënë Thaçi.