Telegrafi

Zyrtarizohet fituesi i projektit për Brezovicën

Ministria e Tregtisë e ka shpallur edhe zyrtarisht konsorciumin nga Franca fitues të projektit për Brezovicën.

Kjo ministri e ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ndërsa është rekomanduar për kontratë konsorciumi “Compagnie des Alpes SA” & “MDP Consulting” & “PGI Managmanet” & “Outdoor Kosovo”.

Javën e kaluar ishte njoftuar se Komiteti drejtues ndërministror i Brezovicës i kishte mbështetur rekomandimet e ekspertëve dhe raportin e vlerësimit për projektin e Brezovicës. Njoftimin për përzgjedhjen e konsorciumit fituesit e kishte publikuar edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, në profilin e tij në “Facebook”.

Njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar më datën 21 nëntor, kurse parashihet që nënshkrimi i kontratës të bëhet më datën 3 mars të vitit 2015, shkruan Koha Ditore.

Në total në këtë projekt parashihet të investohen 409 milionë e 509 mijë euro. /Telegrafi/