Në konferencë për shtyp të mbajtur sot, ministri i ekonomisë, Bekim Neziri, prezantoi ofertën më të mirë për dhënien në koncesion të mineraleve të papërpunuara të plumbit dhe zinkut në lokalitet ”Zletova” në Probishtim, dhe ”Toranica, Sokol Baçillo dhe Bërdoja e mesme” në Kriva Pallankë, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Kompania bullgare ”Minstroj Holding” SH.A Sofija, është pronari i ri i këtyre minierave, ndërkaq ministri Neziri tha se hyrja e kësaj kompanie, si lidere e minierave në këtë pjesë të Evropës, do të mundësojë hapjen e një faqe të re në sektorin e mineraleve të papërpunuara në Maqedoni, sidomos nëse meret parasysh aktiviteti investues i kësaj kompanie nëpër botë.
Investimi fillestar i ”Minstroj” do të jetë 10 milionë euro, duke shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër borxht dhe numrin e përgjithshëm të punëtorëve, rrogat e të cilëve gjithashtu duhet të rriten./Telegrafi/