Site icon Telegrafi

Zyrtarisht ka filluar misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR në Maqedoni

Edhe zyrtarisht sot ka filluar misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni që do të mbahen më 5 qershor, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Misionin e udhëheq ambasadori, Jan Petersen, dhe përbëhet nga një ekip prej 12 ekspertëve, me seli në Shkup, si edhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të shpërndahen në tërë Maqedoninë, në ekipe nga dy persona, duke filluar nga 13 prilli.

Si pjesë e vëzhgimit, Misioni do të përcjellë edhe raportimet e mediumeve për kampanjat zgjedhore të partive politike dhe grupimeve tjera.

Vëzhguesit do të përcjellin hapjen e vendëvotimeve në ditën e zgjedhjeve, pastaj do të vëzhgojnë edhe procesin votues, numërimin e fletëvotimeve dhe mbledhjen e rezultateve. Gjithashtu në ditën e zgjedhjeve do të mbahet edhe konferencë shtypi, ku do të publikohen gjetjet dhe konkluzionet, ndërkaq raporti final për zgjedhjet do të jepet tetë javë pas përfundimit të procesit zgjedhor./Telegrafi/

Exit mobile version