Telegrafi

Zyrtari turk: Nuk hyjmë në sherr me SHBA-në, s’ka blerje të dytë të sistemit anti-raketor S-400 nga Rusia

Një zyrtar i lartë turk ka hedhur poshtë pretendimet e palës ruse, për blerjen e një njësie të dytë të sistemit të mbrojtjes ajrore S-400.

Ai këmbëngul se Ankaraja nuk është në fazat përfundimtare të nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë.

“Nuk ka pasur asnjë ndryshim në statusin e negociatave me Moskën”, tha zyrtari.

Drejtori i përgjithshëm i furnizuesit shtetëror rus të armëve Rosoboronexport, Alexander Mikheev ishte shprehur më herët se konsultimet mes Turqisë dhe Rusisë për një furnizim të ri me S-400 ishin në fazën përfundimtare.

“Në të ardhmen e afërt ne dhe partnerët tanë do të zyrtarizojmë dhe nënshkruajmë kontratën”, ishte komenti i Mikheev për mediat shtetërore ruse.

Sipas zyrtarit turk, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur, raporti është pjesë e operacioni devijues nga ana e Rusisë, ku lëshohen deklarata të pavërteta në raport më Turqinë, e cila është në mesin e disa çështjeve të pazgjidhura me palën amerikane.

“Rusët po përpiqen të helmojnë marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë zyrtari.

Marrëdhëniet mes aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara u përkeqësuan ndjeshëm në 2019-në për shkak të blerjes së sistemit të avancuar të mbrojtjes ajrore ruse S-400 nga Ankaraja, çka bëri që Washingtoni ta hiqte Turqinë nga programi i tij i avionëve F-35 Lightning II.

SHBA-ja argumenton se sistemi mund të përdorët fshehurazi nga Rusia për të siguruar detaje të klasifikuara mbi avionët Lockheed Martin F-35 e thotë se ai është i papajtueshëm me sistemet e NATO-s.

Turqia nga ana e saj këmbënguli se S-400 nuk do të integrohet në sistemet e aleancës e nuk do të përbëjë një kërcënim për të. /TCH/