Shërbimi Korrektues i Kosovës në vazhdën e luftimit të dukurive negative brenda institucioneve korrektuese, sot rreth orës 11:40 në bazë të informacioneve paraprake ka arritur të parandaloi futjen e substancës së dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë.
“Me të pranuar informatat se një zyrtar korrektues dyshohet për shpërndarje të lendeve të dyshuara narkotike brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë, menjëherë janë ndërmarr veprimet e nevojshme nga stafi përgjegjës i sigurisë, të cilët kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar.
Lidhur me rastin janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e Policisë për intervistim. Po ashtu, policia ka konfiskuar substancën e dyshuar narkotike për ekzaminim të mëtejmë”, thuhet në njoftimin për media.
Ndaj zyrtarit korrektues të dyshuar është ndërmarrë masa e suspendimit nga puna dhe me njëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhe nuk do të lejoi në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla. /Telegrafi/