Telegrafi

Zyrtari i MASHT-it kapet duke futur drogë në Burgun e Dubravës

Një zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është arrestuar sot pasi që është kapur duke futur narkotikë në Burgun e Dubravës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, respektivisht Departamenti për Siguri, pas një plani operacional, sot ka arritur që të parandalojë futjen e narkotikëve në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

“Ky operacion është shtrirë në dy lokacione, në Hyrjen Kryesore të Qendrës Korrektuese të Dubravës, si dhe në hyrje të Sallës së Vizitave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit, me këtë rast është ndaluar zyrtari M.GJ, punonjës i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (me detyrë në Shkollën e Qendrës Korrektuese Dubravë).

“Gjatë kontrollimit të vizitorit M.H. është gjetur lëndë narkotike e fshehur në gjëra ushqimore. Ky dhe veprimet tjera janë duke u ndërmarrë me qëllim të luftimit të kontrabandës dhe sfidave të tjera”.

Për rastin dhe për veprime të mëtejme, menjëherë është njoftuar Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria Kundër Drogës, thuhet në njoftim. /Telegrafi/