Anëtarë të Komisionit Parlamentar gjerman për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare vizituan Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në selinë e tyre në Hagë.
Sipas një njoftimi, përcjell Telegrafi, kryetarja Ekaterina Trendafilova, Zëvendësprokurori i Specializuar, Kwai Hong Ip dhe Administratorja, Dr. Fidelma Donlon, i informuan vizitorët për zhvillimet në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“I shpreh mirënjohjen Republikës Federale të Gjermanisë për mbështetjen ndaj Dhomave të Specializuara dhe mandatit të tyre si një gjykatë penale e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me mbështetjen e BE-së për kryerjen e proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta”, ka thënë Trendafilova.
Ndërsa kryesuesi i delegacionit gjerman, Jürgen Braun, thuhet në njoftim, ka thënë se “si përfaqësues i Bundestagut gjerman, jam shumë i impresionuar me punën e rëndësishme të Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës për të mundësuar dhënien e llogarisë për kryerjen e krimeve të rënda dhe për mundësimin e proceseve gjyqësore të sigurta dhe të drejta”.
Lidhur me këtë vizitë, udhëheqësi i delegacionit gjerman, Jurgen Braun, ka bërë edhe një postim në Facebook.
“Vlen të përmendet se gjykata gjithashtu dëshiron të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për të ashtuquajturën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të ardhmen, anëtarët e qeverisë në pushtet të Kosovës mund të përballen me dënim”, ka shkruar ndër tjerash Braun. /Telegrafi/