Ndryshime në udhëheqjen komunale të Prishtinës pas zgjedhjeve parlamentare
Pas zgjedhjeve parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar tre deputetë nga Komuna e Prishtinës, të cilët do të lënë pozitat e tyre aktuale në administratën komunale për të kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Tre zyrtarët e lartë të Komunës së Prishtinës që u zgjodhën deputetë:
Jehona Lushaku-Sadriu, Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka marrë 29,456 vota.
Krenar Xhaferi, Drejtor i Investimeve Kapitale, ka fituar 18,994 vota.
Alban Zogaj, Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ka marrë 18,882 vota.
Me largimin e tyre nga detyrat aktuale, administrata e Komunës së Prishtinës pritet të kalojë në një riformatim, ndërsa disa emra të rinj do të marrin pozita kyçe në qeverisjen lokale.
Emërimet e reja në Komunën e Prishtinës:
Florian Dushi, aktualisht Drejtor i Inspeksionit në kryeqytet, do të zëvendësojë Alban Zogajn si Nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
Dushi ka një përvojë të gjatë në administratë dhe pritet të marrë detyrën sapo të përfundojë procesi i konfirmimit zgjedhor.
Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, pritet të marrë një nga drejtoritë e liruara, edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar për postin e tij të ri.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar këto ndryshime përmes një njoftimi zyrtar, duke theksuar se procesi i tranzicionit do të ndodhë në mënyrë të rregullt dhe pa vonesa.
Ai gjithashtu ka falënderuar zyrtarët e zgjedhur për punën e tyre në nivelin lokal dhe ka uruar sukses në detyrat e tyre të reja si deputetë në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/