Zyrtarët e FBK-së kërkuan që bashkëpunimi i dyanshëm të vazhdojë dhe të jetë edhe më i ngushtë në aspekt të eliminimit të dukurive negative që shfaqen gjatë ndeshjeve të basketbollit.
Ata kërkuan nga Policia e Kosovës, që të jetë në dispozicion të klubeve me rastin e kërkesave të tyre dhe të kenë një koordinim sa më të mirë me organizatorët e ndeshjeve, ndërsa nga policët, një përkushtim dhe përgjegjësi më të madhe gjatë detyrave si në preventivë po ashtu edhe në reagime në rastet kur kjo kërkohet. Një nga kërkesat ishte edhe ajo që kur ndodhin incidente, të identifikohen iniciuesit e veprimeve negative dhe të njëjtit të marrin ndëshkime konform ligjit në fuqi.
Në anën tjetër, zyrtarët e lartë të Policisë së Kosovës kërkuan nga klubet një bashkëpunim dhe koordinim të detyrave, një përmirësim të infrastrukturës së palestrave dhe që klubet të bëjnë presion te menaxhuesit e palestrave në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit me çka nënkuptojmë vendosjen në formë të rregullt dhe stabile të karrigeve, vendosjen e kamerave të cilat do të lehtësonin identifikimin e personave problematikë, të ketë një ndarje fizike ndërmjet fushës –tifoz si dhe tifozërive të të dy skuadrave, që të mos cenohet fusha e lojës.
Të dyja palët u dakorduan që të premten më 22 mars në orën 11:00 në Shtëpinë e Sporteve të kenë takim me përfaqësuesit e klubeve të BKT Superligës, raporton Zëri. /Telegrafi/