Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Altin Rraklli, ka dhënë dorëheqje, dhe këtë e ka konfirmuar përmes faqes zyrtare Federata Shqiptare e Futbollit.
“Prej sot, ai nuk do të jetë më drejtuesi i bankinës kuqezi, të përfaqësueses shqiptare të femrave”, thuhet komunikatën e FSHF-së.
Në një prononcim zyrtar, për zyrën e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit, drejtuesi i ekipit kombëtar “A” të femrave ka sqaruar edhe arsyet e dorëheqjes së tij, transmeton Koha.net.
“Largohem për arsye familjare dhe për t’iu përkushtuar krejtësisht punëve dhe bizneseve të mia private. Gjatë këtij rrugëtimi 5-6 vjeçar, për të ndërtuar futbollin e femrave në Shqipëri, kam provuar çaste dhe emocione të cilat nuk kanë njohur kufij. Kam jetuar çdo ditë me një sfidë të re, e cila për herë të parë zhvillohej në këtë vend. Kam pasur mbështetjen e të gjitha strukturave të FSHF-së, të stafit dhe medias, të cilët gjej rastin që t’i falënderoj”, thotë Altin Rraklli, në tekstin e tij të dorëheqjes.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë prej fillimit të 2010 ka qenë një prej organizatorëve të ngritjes së futbollit të femrave dhe konsolidimit të kësaj strukture, deri tek skuadra kombëtare.
Nga ana e saj Federata Shqiptare e Futbollit, pasi vlerëson dhe falënderon Altin Rrakllin për kontributin e tij, deklaron zyrtarisht se, “FSHF vlerëson kontributin e deritanishëm të dhënë për futbollin shqiptar, nga një futbollist i njohur si Altin Rraklli. Ajo, ka mbështetur dhe vlerëson punën e deritanishme të tij, për ndërtimin e skuadrës kombëtare A të femrave dhe në përgjithësi për zhvillimin e futbollit për femrave. Duke e konsideruar si vlerë, gjithçka që Altin Rraklli ka dhënë për futbollin shqiptar, FSHF i uron atij gjithçka të mirë në karrierën dhe jetën e tij private”.