Mesfushori defanziv i skuadrës austriake SCR Altach, Vesel Demaku ka vendosur të luajë për Kosovën.
Ish-anëtari i Kombëtares U21 të Austrisë, të hënën, ka qëndruar në selinë e FFK-së, ku është takuar me presidentin Agim Ademi, drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxherin e Kombëtares, Bajram Shala.
Me këtë rast, Demaku ka theksuar se menjëherë pasi ka marrë konfirmimin nga shteti austriak për dyshtetësi, pa hezitim e me zemër, ka vendosur që të luajë për Kosovën dhe të japë kontributin e tij në fanellën dardane.
Presidenti Ademi e vlerësoi vendimin e Demakut dhe e përgëzoi për përkushtimin e tij për t’i kontribuar atdheut.
Ademi tha se lojtar me potencial si Vesel Demaku janë gjithmonë të mirëseardhur në Kombëtaren e Kosovës.
Demaku gjatë këtij edicioni ka zhvilluar 10 ndeshje në Bundesligën e Austrisë dhe ka lënë gjurmë me lojën e tij në fushën e blertë dhe pa dyshim do të jetë një vlerë shtesë për Kombëtaren e Kosovës./Telegrafi/